Mesi është kryefjala e Barcelonës, e nxjerr “pa lagur” në shiun e Gironës!

Kjo ndeshje duhet të luhej 4 000 kilometra larg. Girona-Barcelona ishte planifikuar për në stadiumin “Hard Rok” të Majemit në Shtetet e Bashkuara, por në vend që të luhej përpara 65 000 spektatorëve, pati vetëm 14 500 tifozë për ta ndjekur. Kjo u prishi shumë pak punë katalanasve, që triumfuan 2-0 dhe u shkëputën përsëri në 5 pikë epërsi ndaj ndjekësve, në krye të ligës spanjolle.

Lionel Mesi ishte përsëri frymëzimi i të besuarve të trajnerit Ernesto Valverde. i lënë pushim në humbjen në kupë në fushën e Seviljes, argjentinasi pati energjitë e duhura për të mbyllur siç duhet ndeshjen e fituar 2-0. Mbrojtësi Semedo shënoi golin e parë për kampionët, ndërsa Mesi ishte autor i të dytit, duke garantuar fitoren e 8-të radhazi në La Liga.

Barça u ndihmua edhe nga fakti që vendasit mbetën me 10 lojtarë, sepse Bernardo mori karton të kuq në pjesën e dytë. Kushtet atmosferike ishin të vështirë, sidomos për një ekip teknik si Barcelona, por Mesi përballoi gjithçka. Kapiteni ka 19 gola në 19 ndeshje të kampionatit, si dhe 26 rrjeta në 25 sfida të gjithë sezonit, në të njëjtin nivel si në vitet më të mira të karrierës. Barça, ndërkaq, udhëheq renditjen me 49 pikë, ndaj 44 të Atletikos së Madridit, ndërsa ka diferencë të madhe në golat e shënuar, në krahasim.

Sfidanti.al