Mesi, “edhe është, edhe nuk është” ndaj Interit në Champions

Luan apo nuk luan ai, kjo është pyetja kryesore në Katalonjë. Lionel Mesi është kthyer në çështje këtë sezon tek Barcelona për shkak të dëmtimeve, ndërsa shpresat janë që ai të përfshihet në skuadër për ndeshjen ndaj Interit në Champions. Luhet të mërkurën në “Kamp Nou”, dhe gazetat katalanase shkruajnë se dëmtimi i pësuar ndaj Vijarrealit nuk ishte aspak i rëndë, dhe se trajneri Valverde mund ta përfshijë argjentinasin në listën e tij.

Nuk dihet nëse kapiteni mund të luajë që nga minuta e parë, apo si zëvendësues, ndërsa moralisht tek Barça janë të prekur. Një Mesi jo në 100 për qind të formës shpesh nuk është në gjendje të ndihmojë skuadrën, plus që mund të dëmtohet përsëri, ndaj Valverde dhe stafi mjekësor janë përpara një vendimi të vështirë për t’u marrë. Minusi më i madh për argjentinasin është se ka luajtur vetëm 120 minuta këtë sezon, saktësisht vetëm 20 për qind të kohës maksimale në dispozicion, pra ai nuk ka as formën dhe as ritmin e duhur, sidomos për një ndeshje kaq të vështirë si kjo ndaj Interit.

Sfidanti.al