Mesi, çfarë emocioni për rekordin e FIFA-s në prani të gruas e fëmijëve!

U rikthye më në fund në majë. Lionel Mesi fitoi për herë të parë çmimin e FIFA-s si Lojtari më i mirë i vitit në botë, por që bëhen 6 tituj, bashkë me ata të fituar më parë, kur FIFA dhe “Frans Futbolli” jepnin së bashku Topin e Artë, apo kur “Frans Futbolli” e jepte vetëm Topin e Artë. Pas dy vitesh larg vendit të parë, superylli i Barcelonës ia doli më në fund, duke lënë pas Virgil Van Dajkun e Liverpulit dhe Kristiano Ronaldon e Juventusit. Po ashtu, duke vendosur rekordin.

“Është një mbrëmje e veçantë për mua, – tha kapiteni katalanas, – jam me shumë fat që ndodhem këtu bashkë me gruan time dhe dy nga tre fëmijët. Është hera e parë që ata janë këtu dhe, nuk ka çmim fakti që unë po e gëzoj këtë sukses bashkë me ta”.

Mesi mori 46 vota ndaj 38 të Van Dajkut dhe 36 të Kristiano Ronaldos. Ai shënoi 54 gola e dha 20 asistë në 58 ndeshje sezonin e kaluar, duke lënë pas Ronaldon me 31 gola në 47 ndeshje.

Nuk mungoi reagimi i portugezit në rrjetet sociale, ndërsa braktisi ceremoninë e zhvilluar nga FIFA në Milano, duke qendruar në shtëpinë e tij në Torino. “Durimi dhe këmbëngulja janë karakteristikat që dallojnë profesionistin nga amatori, – shkruajti portugezi në “Instagram”, – çdo gjë e madhe ka nisur nga diçka e vogël. Njeriu nuk mund të arrijë gjithçka, por të bëjë maksimumin për të realizuar ëndrrat! Mos harroni se pas errësirës, gjithnjë vjen agimi”!

Federate Portugeze e Futbollit i doli në krah superyllit të saj, duke postuar gjithashtu në “Instagram” një mesazh të thjeshtë, me foton e Ronaldos, dhe me shpjegimin: Më i miri i të gjitha kohëve!

Dy yjet më të mëdhenj të epokës patën mundësi të votonin për më të mirin, duke qenë kapitenë të kombëtareve, dhe mes tyre pati një dallim. Mesi zgjodhi Sadio Manenë e Liverpulit si lojtarin e vitit, dhe vendosi Ronaldon të dytin, por CR7-ta nuk e përfshiu fare rivalin e tij të madh në trete, duke i dhënë vendin e parë shokut të tij të ri të ekipit, De Ligt.

Sfidanti.al