Mediat ngrenë në qiell Francën: Fitoi finalen më të çmendur!

Lavdia juaj nuk do të ekzistonte po të mos ishin ne. Kështu kanë thënë me mburrje jetë e mot mediat, ndërsa mprehën lapsin për të bërë të pavdekshëm triumfin e Francës në Botëror.

Në Francë, “L’Ekip”, bën lojë fjalësh, me titullin: Një tjetër botë! Nënkuptohet, një tjetër Botëror! “Liberasion”: Finalja! Në fund të çmendurisë! “Lë Parizien”: Francë-Kroaci, një yll i dytë për jetën! “Lë Figaro”: Romani formidabël rus i Bluve! “L’Ymanite”: Për fat, në fund fitojnë gjithnjë më të mirët!

Në Kroaci, “Jutarnji List”: Përfundon përralla e të zjarrtëve në Rusi, Kroacia e dyta në botë! Brilantët Mbape, Grizman e Pogba, me ndihmën e gjyqtarit argjentinas dhe të VAR-it na mbyllën derën e parajsës! Ju lumtë!

Po në Kroaci, “Veçernji List”: Të zjarrtët janë krenaria jonë! Kroacia është e dyta në botë! Franca, më e mirë në finale! “Sllobodna Dalmacija”: Të zjarrtët dominuan Francën në finalen më të çmendur të të gjitha kohëve, por në fund humbën! Sërish “Sllobodnja Dalmacija”: Topi i Artë në duart e duhura! Luka Modriç, nga drama e arratisjes, është lojtari më i mirë i botës!

Nga Rusia organizatore, “Sport Ekspresi”: Rroftë Franca! Makina tringjyrëshe e Deshampit fitoi Kupën e Artë! Nga Spanja, Gazeta “Marka” thekson fitoren franceze me titullin në frengjisht: Epoka e Bukur! Ja edhe “AS”: Ylli i dytë për Francën! Grizman dhe Mbape të papërballueshëm për një Kroaci të admirueshme deri në fund!

“Bildi” nga Gjermania: Finalja më e çmendur e të gjitha kohëve! Franca në çatinë e Botës! “Deili Meil” në Angli: Finalja më dramatike, në mbyllje të Kupës së Botës më dramatike! Në fund, Franca kurorëzohet kampione për herë të dytë! Së fundi, “La Gazeta delo Sport” nga Italia: Botërori është i Francës! Kroacia rrëzohet në fund, Mbape errëson Modriçin!

Sfidanti.al