Marash Kumbulla, një mbrojtës që duhet blerë shpejt, ndryshe kushton shtrenjtë!

Pakkush u kujtua për të mbrëmjen e 25 gushtit. Luhej Verona-Bolonja dhe gjithë vëmendja ishte përqëndruar tek gjesti heroik i trajnerit mik, Sinisha Mihajloviç, që kishte ardhur në stadium edhe pse i sëmurë me leuçemi. Sidoqoftë, dueli i javës së parë të Serisë A do të ishte edhe debutimi i një djaloshi 19-vjeçar të quajtur Marash Kumbulla.

Mbrojtësi i qendrës, me origjinë nga Shqipëria e lindur në Itali, do të kthehej në një personazh tërheqës në njërin nga 5 kampionatet më të fortë të botës, për standardin e lartë teknik e fizik, por sidomos me personalitetin e fortë edhe pse tepër i ri. Pak javë më vonë, Kumbulla do të shënonte golin e tij të parë në Serinë A, duke u bërë i pari nga lojtarët e lindur në vitin 2000 apo më vonë. Një rekord edhe në 5 ligat kryesore, Seria A, La Liga spanjolle, Premier Liga, Bundesliga dhe Liga e Parë Franceze.

Sot, ai jo vetëm po nis të kërkohet nga klube më të rëndësishëm sesa Verona, siç është Fiorentina, por edhe kartoni i tij ka njohur një rritje që mund ta quajmë eksponenciale. Mediat italiane, pranë Veronës, njoftojnë se për mbrojtësin shqiptar mund të paguhen deri në 10 milionë euro, madje edhe më shumë, ndonëse është vetëm 19 vjeç. E ardhmja duket e garantuar për një futbollist të tillë, që shkëlqeu që në skuadrat kombëtare të moshave të Shqipërisë, ndërsa në Moldavi debutoi edhe për ekipin përfaqësues të të rriturve.

Sfidanti.al