“Luftëtari” gati të dorëzohet, Gatuzo pse po mendon dorëheqjen?!

Çfarë po ndodh me të, dhe çfarë po ngjan me Napolin? Jo se u mendua se Xhenaro Gatuzo do të ishte ndonjë shpëtimtar, por gjithsesi u besua se energjia dhe karakteri i tij do të ndihmonte Napolin që të kapërcente momentin e vështirë të krijuar në periudhën e Karlo Ançelotit. Mesa duket problemet qenkan shumë të thella dhe nga Italia njoftohet se trajneri i tanishëm po mendon dorëheqjen. Shumë e çuditshme për një njeri që nuk dorëzohet kurrë, pra duket se gjendja qenka shumë e keqe, përderisa ai nuk po ka shpresë për të vazhduar.

Lajmi është që Gatuzo i ka bërë një paralajmërim lojtarëve të tij: “Dua që të fitoni ndaj Juventusit, nëse nuk e bëni unë do të jap dorëheqjen”. Nuk dihet nëse kjo gjë do të ndikojë tek futbollistët, pasi këta të fundit, si kudo, janë mësuar me ndryshim trajnerët dhe vështirë t’u bëjë ndonjë gjë përshtypje. Thuhet se presidenti De Laurentis është i pakënaqur me disa vendime të Gatuzos, por nuk mund të mendojë një tjetër shkarkim, ndryshe klubi dhe skuadra do të shkonin “për dreq”. Edhe kështu, gjithçka është keq, dhe Napoli është shumë larg Championsit dhe Europës.

Sfidanti.al