Liverpuli “bën dorëzimet” në garën për titull, mundet edhe nga Hulli!

“Vdiq” dhe duhet “varrosur”. Ky është përfundimi për Liverpulin e Jurgen Klopit pas një zhgënjimi kolosal ndaj Hull Sitit në Premier Ligë. Skuadra e një klubi që ka dalë 18 herë kampion, dështoi të merrte qoftë edhe një pikë ndaj një rivali krejt pa emër, por me shumë më tepër forcë psikologjike për të dalë i fituar. Disfata 0-2 bëri që praktikisht të kuqtë të jenë jashtë garës për titull, edhe pse duhen ende 14 ndeshje, pra 42 pikë deri në fund të kampionatit.

Trembëdhjetë pikë nuk janë diferencë e rikuperueshme as ndaj kundërshtarëve më të thjeshtë, jo më kundër rivalëve si Çelsi i Kontes. Për më tepër, Klopit i duhet të lëshojë “kushtrimin” që Liverpuli të mos humbasë edhe garën për të shkuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Për një klub të madh kjo do të ishte gati fatale, ndërsa në konkurrim janë Totenhemi, Arsenali, Mançester Siti e Mançester Junajtid. Pse jo, edhe rivali vdekësor, Evertoni.

Hull fitoi me golat e shënuar në fund të çdo pjese, nga N’Diaje në 44’ dhe Niase në 84’. Arritje e madhe për një ekip që është i treti nga fundi në Premier, kandidat për të rënë nga kategoria. Në ndeshjet e tjera, golat ishin të shumtë, sidomos me suksesin 6-3 të Evertonit ndaj Bornemuthit, ku Romelu Lukaku shënoi 4 gola.

Rezultatet: Hull-Liverpul 2-0, Everton-Bornemuth 6-3, Kristal Palas-Sandërlend 0-4, Sauthempton-Uest Hem 1-3, Uatford-Bërnli 2-1, Uest Brom-Stouk Siti 1-0. Renditja: Çelsi 59, Totenhem 47, Arsenal 47, Liverpul 46, Man. Siti 46, Man. Junajtid 42, Everton 40.