Ledian Memushaj, 33-vjeçari shqiptar po jeton rininë e dytë në Itali!

Mosha kalon, por për të duket se ndodh më ngadalë. Ledian Memushaj po jeton një rini të dytë në karrierën sportive, diçka që po e lumturon vetë atë, po ndihmon kombëtaren shqiptare, dhe skuadrën e tij, Peskarën. Mesfushori vlonjat, tashmë gati 33-vjeçar e ka rritur nivelin e tij, dhe duket se është kthyer ai që ishte 3-4 vjet më parë.

Shënoi gol dhe ndihmoi fort në fitoren 4-0 në Serinë B ndaj Beneventos, skuadrës kryesuese. Superioriteti ndaj një rivali të tillë krijoi entuziazëm, ndërsa zona e plej ofit për në Serinë A nuk është larg, në vetëm 2 pikë diferencë.

“Një fitore e madhe, – u shpreh Memushaj, – jam i lumtur për golin, por sidomos për fitoren, sepse ishte tepër e thellë dhe u arrit ndaj një skuadre shumë të fortë, një korracate të vërtetë. Jam i sigurt se nëse vazhdojmë kështu, jemi në rrugën e duhur. Natyrisht, kemi hasur vështirësi, sepse kemi pasur shumë ndryshime në ekip, ndaj duhet kohë”.

Mediat italiane e vlerësuan lart paraqitjen e shqiptarit, duke e vlerësuar me notën 7, si lojtarin më të mirë në fushë, madje duke e përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës në Serinë B.  Këtë sezon, Memushaj ka realizuar dy herë në kampionat, aq sa kishte bërë gjithë edicionin e kaluar.

Nëse do të arrijë të ngjitet në Serinë A, për të do të ishte një rikthim. Mesfushori kuqezi ka qenë tri herë në elitën e futbollit Italian, konkretisht me Kievon e Veronës në 2010-2011, me Peskarën në 2016-2017, si dhe tri sezone më parë me Beneventon, ekipit që i shënoi këtë fundjavë.

Sfidanti.al