Lavdia nuk shuhet, Marseja drejt një tjetër finaleje europiane

Florion Toven (Thauvin) dhe Klinton N’Xhie dërguan topin në rrjetë dhe Olimpiku i Marsejës hodhi një hap të madh drejt një tjetër finaleje të madhe në histori. Rezultati 2-0 në “Velodrom” ndaj Salcburgut jep shpresë për të qenë në finalen e pestë europiane, diçka që asnjë klub tjetër francez nuk ka mundur ta arrijë.

Skuadra e trajnerit Rudi Garsia mbështetet tek disa lojtarë shumë të mirë si kapiteni Dmitri Paje, portieri Pele, sulmuesit Toven e Mitroglu, mbrojtësit Adil Rami apo Luiz Gustavo, si dhe nga mesfushorët e fortë Okampos apo Maksim Lopez.

Edhe në Francë, Marseja po bën një kampionat mjaft të mirë, duke qenë në vend të katërt, por vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, dhe në luftë për kualifikim në Champions. Duke lënë mënjanë Paris SG, Marseja është në po atë nivel me ekipet e tjerë më të mirë si Monako apo Lioni.

Marseja doli për herë të parë në një finale, në 1991, kur u ndesh dhe humbi me Crvena Zvezdën në Kupën e Kampionëve (pas penalltive). Dy vjet më vonë, në 1993, goli i Bazil Bolisë i dha fitoren në finalen e Championsit ndaj Milanit të madh, ndërsa në vitet 1999 e 2004 humbën dy finale të Kupës UEFA (sot Liga e Europës). Marseja ka fituar dy herë Kupën Intertoto (2005, 2006), por këto janë suksese që nuk e bëjnë shumë krenar këtë klub të madh.

Sfidanti.al