Lautaro vlerësohet mbi Nejmarin, Interi thotë se nuk i trembet ikjes!

Një kampion i botës i bëri komplimentin e madh. Për Alesandro Altobelin, Lautaro Martinez është sot një nga sulmuesit më të mirë të botës, madje mbi njërin nga yjet më të vlerësuar. “Kam bërë një krahasim të tij me Nejmarin, duke marrë parasysh kostot, – u shpreh ish-sulmuesi i Interit dhe Juventusit, – për brazilianin u dhanë më shumë se 200 milionë euro, por në këtë moment, Lautaro është më i mirë. Nuk mendoj se e kam tepruar, ndonëse ka pasur reagime dhe ofendime. Është tepër i veçantë, as një 9 as një 10, por di të luajë si një 10-të, dhe të shënojë si një 9-të”.

Kjo formë e sulmuesit argjentinas ka zgjuar interesimin e klubeve të tjerë, sidomos të Barcelonës. Interi ka kontratë me Lautaron deri në 2023, dhe flitet për një klauzolë prej 111 milionë eurosh për kartonin, shifër që duket e vogël në tregun e sotëm të futbollit. Zikaltërit po punojnë për të rinovuar me një klauzolë më të madhe, dhe me një rrogë më të madhe, që mund të arrijë në 2.7 milionë euro, nga 1.5 milionë që është tani. Bepe Marota thotë se është i qetë. “Nuk kemi nxitim për të “blinduar” Lautaron, – thotë ai, – madje, për momentin, nuk ka nevojë. Ai e di sesa shumë e vlerësojmë dhe se çfarë planesh kemi”.

Sfidanti.al