Lampardi kthen kohët e bukura tek Çelsi, ç’fitore ndaj Ajaksit

Nuk ju mjaftojnë tri suksese radhazi në Premier Ligë? Ja ku erdhi një tjetër, e dyta radhazi në Champions. Çelsi është një “tren” që nuk po di të ndalet në rrugën e tij, ndërsa arriti një triumf të madh në fushën e Ajaksit, gjysmëfinalistit të vjetshëm të këtij konkurrimi. Edhe pse holandezët patën epërsi në lojë, goditën shtyllën, dhe patën një gol të anuluar me VAR, sërish nuk mund t’i ulet vlera londinezëve të drejtuar nga Frenk Lampard, që gjithnjë e më shumë po krijon besimin se mund të kthejë kohët e bukura të dikurshme.

Trajneri hodhi në fushë në pjesën e dytë Kristian Pulishiçin dhe Miçi Baçuain, dhe ishte ky i fundit që realizoi katër minuta para fundit. Të dyja skuadrat mund të mburren se luajnë me lojtarë të rinj, të tillë Ajaksi pati mjaft, por edhe Çelsi kishte në fushë Tomorin, Hadson-Odoin, Xhejmsin, Pulishiçin, Abrahamin, Baçuain dhe Mauntin. Holandezët kënaqën sërish me stilin e lojës, sidomos në pjesën e parë, duke mos ndjerë shumë largimin e De Jongut dhe De Ligtit, por problem mbetet përvoja dhe fakti që luajnë në Eredivizie, ndërsa Çelsi në Premier Ligë. Ashtu si vjet ndaj Totenhemit, skuadra e trajnerit Ten Hag nuk pati eksperiencën e nevojshme për të fituar ndeshje të tilla, që teknikisht mund të dominojë. Blutë e Londrës morën zemër, po ashtu dolën në vend të parë për shkak të ndeshjeve direkte ndaj Ajaksit.

Sfidanti.al