Ky Totenhem është ekip i denjë i Murinjos, pra pretendent për titull!

Trajneri portugez ia ka dalë kaq shumë herë gjatë karrierës, saqë e di sesi mund të bëhet. Zhoze Murinjo është shpallur 8 herë kampion me skuadran e tij, që nga Porto e deri tek Reali, dhe ndonëse e ka marrë malli sërish nuk e ka harruar “zanatin”. Me suksesin 2-0 të Totenhemit ndaj Arsenalit në “Uajt Hart Lejn”, ai mbajti kreun e renditjes së Premier Ligës, edhe pse baraz me pikë me Liverpulin. Analistët dalluan menjëherë tek stili i lojës, ekipin klasik të mjeshtrit portugez.

Jo spektakolar, cinik, i pamëshirshëm, praktik, këmbëngulës dhe fitues. Bëri detyrën në pjesën e parë duke shënuar dy golat dhe u mbrojt pa komplekse pas pushimit, duke dorëzuar terren, por me një sistem të padepërtueshëm. Son në 13’ dhe Harri Kejn në 45’+1 ishin autorët e golave, madje duke kombinuar së bashku, e duke qenë tani në kuotën 31 gola të krijuar e shënuar së bashku, të lënë pas vetëm nga dyshja e madhe e Çelsit (të Murinjos), Drogba-Lampard. A mund të thuhet se Totenhemi mund ta fitojë titullin?

Ndoshta, ndërsa për Murinjon është një kohë e gjatë pa ia dalë, që nga viti 2015, madje në 8 vitet e fundit e ka bërë vetëm 1 herë. Pasi u shpall kampion i Spanjës me Realin në 2012, kampionati i vetëm i fituar është ai me Çelsin në 2015. “Kryesorja është që ne po luajmë të bashkuar, – tha Zhoze, – shikoni Sonin dhe Kejnin. Ata jo vetëm sulmojnë dhe shënojnë, por edhe mbrojnë, i shërbejnë skuadrës. Ishte një ndeshje e madhe. Dua të përgëzoj Mikelin (Artetën) sepse Arsenali na vuri në vështirësi. Ne e merituam fitoren”.

Sfidanti.al