Kur nuk ke siguri, më mirë me “dritare të gjatë”, siç thotë Kapelo!

FIFA duket se e ka gati planin, dhe është një projekt që mund të ndihmojë shumë. Jo më “dritare të vogla” transferimi, pra deri në fund të gushtit, por një “dritare e gjatë”, deri në fund të vitit 2020. Vetëm kështu mund të ketë siguri që klubet mund të bëjnë veprimet që u duhen, pavarësisht shifrave që mund të jepen për kartonët e lojtarëve, dhe rrogat për yjet. Fabio Kapelo e duartroket menjëherë nismën e FIFA-s. “Nuk do të ketë shpërqëndrim apo problem, – thotë ai, – me “dritaren e gjatë” ka vend dhe kohë për të gjithë”. Pezullimi i futbollit nga koronavirusi vazhdon prej javësh, dhe pritet të zgjasë edhe ca, duke bërë që ligat kombëtare ndoshta të përfundojnë në gusht. Për këtë arsye, nuk mund të ketë transferime të sigurta në verë, por më pas. Jo vetëm kaq, pasi edhe nëse sezoni përfundon më shpejt, le të themi në qershor, sërish klubet do të kenë nevojë për kohë, për të marrë veten nga ana financiare.

Sfidanti.al