Kupa: Tirana, Kukësi e Teuta bëjnë detyrën, zgjimi I Bylisit prish planet europiane të Skënderbeut

Një lojtar rezervist (të paktën për këtë ndeshje) dhe një portier ishin shpëtimi I Bylisit, dhe katastrofa e Skënderbeut. Korçarët janë jashtë nga kupa, dhe të ndalur edhe në kampionat, dhe në të dy frontet ku synonin Europën, u prishi punë I njëjti kundërshtar. Ekipi nga Mallakastra, por me përbërje globaliste, pasi e mundi ish-kampionen në Superligë (1-0), ia doli ta eleminonte nga Kupa, me barazimin 1-1 në Korçë. Ndeshja e parë në Ballsh kishte përfunduar 1-0 për vendasit.

Portieri Miraka bëri pritje të shumta, ndërsa lojtarët e rëndësishëm të Skënderbeut, si Devi Bregu (dy herë), Gripshi e Taipi, u ndalën prej tij. Bregu humbi dy raste të pastër para pushimit, ashtu si edhe Mensah. Mensah shënoi për Skënderbeun, ndërsa Malçi barazoi në 76’. Planet e presidentit Takaj ishin të ndërtuara me kujdes, për të qenë në zonën europiane nga Superliga, dhe për të shkuar mundësisht deri në finalen e Kupës.

Sukseset në kampionat ndaj Tiranës, Partizanit e Kukësit I jepnin shpresë, por përvoja e sotme e ekipit nuk është ajo e dikurshmja, as alternativat, dhe as vendimet e arbitrave në momentet e diskutueshme, edhe pse këtë herë, Bylisit iu anulua një penallti, që fillimisht iu dha. Nëse ish-kampionët u eleminuan, Tirana, Kukësi e Teuta bënë detyrën, e tani janë në gjysmëfinale.

Rezultatet: Skënderbeu-Bylis 1-1 (0-1), Besëlidhja-Tirana 1-1 (1-5), Kukësi-Apolonia 3-1 (2-1), Teuta-Vllaznia 1-0 (2-2).

Sfidanti.al