Kosova, shansi i fundit i turqve… në stadium edhe Erdogan

Turqia e ka nisur shumë keq fushatën eleminatore për Botërorin “Rusia 2018”, ndërkohë që sot në 18:00 do të presë në Antalia përfaqësuesen e Kosovës. Në Grupin I, pas tre ndeshjeve të luajtura, turqit kanë vetëm dy pikë të grumbulluara, një më shumë se Finlanda dhe Kosova që ndajnë vendin e fundit të tabelës. Por kjo mund të jetë edhe ndeshja e fundit për trajnerin Fatih Terim, i cili në prag të eleminatoreve tentoi të bënte revolucion, duke larguar futbollistët titullarë, përfshirë edhe Arda Turan, por tani ka bërë prapaktheu për hir të rezultateve të dobëta.

Të gjithë në Turqi janë përgatitur për një fitore të madhe ndaj Kosovës, për të shpresuar më pas kthesën, ndërkohë që për të njëjëtën gjë, në favor të skuadrës së tij, është shprehur edhe trajneri Bunjaki i miqve. Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ndeshja e sotme në Antalia, mjafton fakti, që në tribunën kryesore të “Ataturk Stadium” do të jetë edhe presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, por tashmë jo si “vëllai i madh”, por si tifoz i përfaqësueses së vendit të tij.