Kosova hedh nokaut Malin e Zi, finale në Pragë për Europianin

Nëse Shqipëria e Rejës të kënaq dhe jep shpresë për të ardhmen, Kosova e Shalandit të mrekullon dhe triumfin e ka vetë në dorë ta arrijë TANI! Fitorja 2-0 ndaj Malit të Zi në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës i siguroi një finale të vërtetë ndaj Republikës Çeke në Pragë, për të synuar një kualifikim historik për në Euro 2020. Pasi fitoi të drejtën ta pretendojë Europianin nëpërmjet Ligës së Kombeve, u konfirmua në një “itinerar” shumë më të vështirë, në një grup eleminator me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë e Malin e Zi.

Amir Rrahmani e Vedat Muriqi ishin autorët e golave në pjesën e parë, por ekipi përfaqësues i Kosovës mund dhe duhej të kishte fituar më thellë. Goditi shtyllën, preku rrjetën e jashtme të portës dhe shpërdoroi disa raste për një diferencë më të madhe. Përballë shqiptarëve me fanela blu, malazezët u dukën të zbehtë, pa lojë e pa shpresë, krejt ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim ekipin e Saviçeviçit, Mijatoviçit apo Vuçiniçit.

Kosova ka 11 pikë, ndaj 12 të Çekisë, dhe në Pragë do të kërkojë fitoren në 14 nëntor, për të mos e lënë fatin e saj në dorë të duelit të fundit, në 17 nëntor, ndaj Anglisë në Prishtinë.

Sfidanti.al