Konte qorton mbrojtjen, por Interi i tij tani është “i pafundëm”

Ëndrra e tij ka qenë që të luftonte me Juventusin me “armë të barabarta”, dhe duket se për herë të parë do ta ketë këtë mundësi. Antonio Konte arriti të hidhte në fushë në pjesën e dytë disa lojtarë të rëndësishëm. Këta ishin Sensi, Hakimi, Vidal, Naingolan dhe Sançez. Aspak gjë e vogël që t’i kesh në stol këta futbollistë, dhe t’i aktivizosh që nga minuta e 63-të kur Fiorentina kryesonte 3-2 në “San Siro”. Në janar, Konte kishte disa “rezerva” ndonëse më pak se tani, por atëherë pati edhe dëmtime. Gjithsesi, trajneri i Interit theksoi se kampionati nuk mund të fitohet vetëm duke luajtur mirë në sulm. “Duhet të kemi më shumë ekuilibër, – ishin fjalët e tij, – më pëlqeu karakteri i skuadrës, por bëmë shumë gabime. Shpresojmë që këto të kalojnë me kalimin e kohës”. Problem më vete forma e Eriksenit, që nuk po gjen veten dhe për të cilin Konte thotë që “shpresoj në një shkëndijë”.

Sfidanti.al