Konte e quan Interin të jashtëzakonshëm, por ky lëvdim vlen për Atalantën!

Vetëm një Samir Handanoviç (dhe gjyqtari Roki) shpëtuan Interin kryesues të Serisë A, nga një humbje në “San Siro”. Në stadiumin e famshëm milanez, zikaltërit nuk po ndesheshin me Juventusin kampion, as me Milanin kur dikur ishte i madh, porse me Atalantën e Bergamos, skuadrën modeste të një qyteti të vogël, por që gati e bëri “për të vjellë”. U desh gjithë klasi i portierit Handanoviç, por edhe indiferenca e gjyqtarit, që të nxirrte “pa lagur” vendasit, që morën të paktën një barazim 1-1.

“Ne jemi gjithnjë të jashtëzakonshëm, – tha pas ndeshjes trajneri interist, Antonio Konte, – por, jemi të paktë në numër, dhe natyrshëm që nëse nuk përforcohemi do të kemi probleme”. Për hir të së vërtetës, duhet thënë që e jashtëzakonshme ishte Atalanta që dominoi ndeshjen e Serisë A pasi Interi shënoi që në minutën e 4-ët me anë të Lautaro Martinezit. Robin Gosens barazoi pas pushimit (75’), ndërsa në minutën e 88-të, Handanoviç priti penalltinë e gjuajtur nga Luis Muriel.

Gjithsesi, Konte kishte të drejtë në vlerësimin e tij për diferencën mes dy ekipeve. “Lus të mos kemi dëmtime sepse nuk mund t’i zëvendësojmë, – tha ai, – Atalanta ka 4 vjet që punon me të njëjtin trajner, dhe klubi ka marrë lojtarët që i përshtaten stilit të tij. Ne kemi vetëm 6 muaj që punojmë së bashku, ndaj është diçka e madhe që jemi 11 pikë para Atalantës në renditje”. Konte harron të thotë se Interi ka fuqi shumë më të madhe blerëse sesa bergamaskët, dhe po ashtu përvojë dhe emër shumë më të madh.

Sfidanti.al