Strakosha, një “zog” që s’duhet të të shpëtojë nga dora, Lacio ka gati kontratën!

Një investim i tillë nuk mund të shpërdorohet. Lacio vërtet pagoi vetëm 75 000 euro për kartoni e Tomas Strakoshës, kur e mori nga Panioniosi i Greqisë, por tashmë vlera e portierit shqiptar është rritur kaq shumë, saqë nuk mund të nënvleftësohet. U fol për vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët për rinovimin e kontratës, por mediat italiane shkruajnë se përfaqësuesit e 25-vjeçarit, dhe drejtuesit e klubit, si Igli Tare, janë duke u afruar në qendrime.

Oferta e Lacios është për 2 milionë euro rrogë në sezon, ndërsa paga aktuale besohet se arrin në 1.2 milionë. Pritet të ketë kompromis për mënyrën e realizimit të kësaj rritjeje, dhe për shpërblimet e ndryshme për portierin e kombëtares së Shqipërisë. Gjithçka, natyrisht, duke shpresuar që kriza e shkaktuar nga koronavirusi të kalojë sa më shpejt.

Për Strakoshën ka pasur interesim nga klube të ndryshëm, sidomos në Angli dhe thuhet se Leisteri apo Totenhemi janë gati të shpenzojnë për kartonin që mund të arrijë në 30 milionë euro, ndërsa kontrata e tanishme e tij në kryeqytetin italian vlen deri në 2022. Këtë sezon, Strakosha ka luajtur 26 ndeshje në Serinë A, duke pësuar 23 gola, më pak se çdo portier tjetër i kampionatit, ndërsa në sezon ka qenë në portë për 32 ndeshje.

Sfidanti.al