Shqipëria pa dëmtime përballë Turqisë, Panuçi bën gati formacionin me Sadikun!

Për fat të mirë, alarmi u shua shpejt. Armando Sadiku nuk pati probleme të rëndësishme dëmtimi, dhe pasi mungoi në njërën nga seancat stërvitore, u bashkua normalisht me ekipin, në tjetrën. Një lehtësim i madh për tifozët dhe trajneri Panuçi, për të cilin lojtari i Luganos është zgjedhja kryesore e sulmit.

Askush nuk mund të harrojë se Sadiku është golshënuesi më i mirë aktiv në ekipin përfaqësues, mungesa e të cilit duhet fajësuar jo pak për rezultatet negative të vitit 2018. Me elbasanasin gati, trajneri italian mundi të përgatiste normalisht formacionin.

Zgjedhja në portë është thuajse e detyruar, pra Etrit Berisha. Në mbrojtje, të preferuar janë Gjimshiti-Veseli në qendër, me Hysajn e Alijin në krahë, ndërsa Xhaka-Abrashi e Memushaj plotësojnë mesin e fushës, me Uzunin e Grezdën si ndihmës të Sadikut. Panuçi, në të vërtetë, provoi edhe alternativa të ndryshme në çdo repart, me Ajetin dhe Ismailin në qendër të mbrojtjes, e duke kombinuar Bashën, Kaçen apo Abrashin në mesfushë dhe nga krahët.

Burime në kombëtare bëjnë me dijë se, eksperimentet e dyta, mund të vlejnë më shumë për ndeshjen ndaj Andorrës. Ekipit i mungojnë kapiteni Mavraj i pezulluar, portieri Strakosha i lënë jashtë për shkak vonese, Odise Roshi ende jo i riaftësuar 100 për qind, si dhe të dëmtuarit Lila e Binaku.

Shqipëria luan këtë të premte ndaj Turqisë, në orën 20:45, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndërsa të martën do të jetë në fushën e Andorrës, me të dyja ndeshjet për eleminatoret e Europianit.

Formacioni i mundshëm (4-3-2-1): Berisha, Hysaj, Gjimshiti, Veseli, Aliji, Xhaka, Abrashi, Memushaj, Uzuni, Grezda, Sadiku.

Sfidanti.al