Memolla për Hysajn, kombëtarja nis përgatitjet me “marsh të parë”!

Fillimi është gjithnjë i lehtë. Pas udhëtimeve nga klubet e tyre për në kombëtare, lojtarët duan kohë që të shlodhen e të marrin veten, ndaj edhe trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, nuk deshi t’i ngarkonte që në fillim. Ai zhvilloi seancën e parë stërvitore në Kompleksin “Tropikal” në Durrës, ku një pjesë e lojtarëve u lanë jashtë fushe.

Ishin 8 futbollistë që luajtën të dielën, dhe Reja i dërgoi për t’u shlodhur në pishinë, ndërsa pjesa tjetër vazhdoi punën nën drejtimin e tij. Pasi i ndoqi nga afër, trajneri krijoi një përshtypje më të plotë për gjendjen e tyre, ndonëse do të duhen edhe të paktën 2 seanca të tjera që ai të jetë i sigurt.

Italiani u mendua gjatë nëse do të kishte një zëvendësues për Elseid Hysajn e dëmtuar, apo gjithçka do ta zgjidhte me lojtarët që ishin në dispozicion. Përfundimisht, Reja thirri një tjetër futbollist, mbrojtësin e majtë, Hysen Memolla, i cili luan në Finlandë dhe po kalon formë shumë të mirë.

Reja ka disa mungesa të rëndësishme përveç Hysajt, siç janë kapiteni tjetër Mavraj apo sulmuesi kryesor, Sadiku. Gjithsesi, ai u duk i qetë, dhe i bindur se kombëtarja shqiptare ka aq lojtarë sa të përballojë dëmtimet apo pezullimet e mundshme. Shqipëria luan në Stamboll ndaj Turqisë në 11 tetor, dhe në Çisinau ndaj Moldavisë në 14.

Sfidanti.al