Marash Kumbulla nxjerr fanelën në ankand për të ndihmuar veronezët!

Këto emocione duket sikur janë me vite larg. Edhe për Marash Kumbullën dhe Veronën e tij, gjendja ka ndryshuar me 180 gradë, ndërsa sëmundja e shekullit i ka detyruar të mos dalin në fushë e të kryejnë profesionin e tyre futbollin. Me Serinë A të ndalur, si çdo aktivitet sportiv në Itali, mbrojtësi i Veronës dhe i kombëtares shqiptare e ka ndjerë për detyrë që të japë një ndihmë sado të vogël, në këtë situatë të vështirë. Faqja zyrtare e klubit në Instagram ka postuar edhe mesazhin e tij videofonik.

“Kjo është uniforma ime e firmosur, – shprehet ai, – E kam nxjerrë në shitje në mënyrë që të mblidhen fonde për të ndihmuar personelin mjekësor në Veronë në këtë moment tepër të vështirë. Jepni ofertën tuaj, ndihmoni dhe ju”.

Klubi veronez ka postuar mjaft video këto kohë, qoftë për të inkurajuar tifozët, që ata të mbeten me shpresë se emocionet e futbollit do të kthehen shpejt, por gjithashtu edhe video të futbollistëve të skuadrës ku ata bëjnë thirrje për të qendruar në shtëpi e për të respektuar rregullat. Verona, që ka në radhët e saj Marash Kumbullën dhe lojtarin e Kosovës, Amir Rrahmanin, është në vendin e 8-të në renditjen e Serisë A, me 35 pikë pas 25 ndeshjesh, ndonëse ka një nga buxhetet më minimalë të kampionatit.

Sfidanti.al