Kombëtarja pret golin e parë në “Arenën Air Albania”, “sefte” në “Qemal Stafa” e bëri Pal Mirashi!

Me krenari e quajmë stadiumi më i bukur në Ballkan. “Arena Air Albania” do edhe dy muaj që të mbushë 1 vjeç, por ende nuk e ka përjetuar një gol të Shqipërisë. Përurimi në 17 nëntor 2019 u bë në sfidën ndoshta më të vështirë të mundshme, atë ndaj Francës kampione e botës, dhe ajo përfundoi me humbje 0-2, pra pa tundje rrjete nga kombëtarja. Padyshim që goli i parë do të vijë, ndërsa vonesat kanë ardhur edhe nga pandemia e koronavirusit, si dhe nga kalendari, me kuqezinjtë që u kthyen në fushë vetëm të premten e kaluar me fitoren 2-0 në Minsk ndaj Bjellorusisë për Ligën e Kombeve.

Në dy stadiumet e tjerë të rinovuar në Shqipëri, golat e parë janë shënuar përkatësisht nga Ermir Lenjani dhe Armando Sadiku. Lenjani realizoi në “Elbasan Arena” në ndeshjen e parë pas rindërtimit, një barazim 1-1 ndaj Danimarkës në eleminatoret e Euro 2016-ës. Sadiku shënoi në “Loro Boriçi” në 5 shtator 2016 në duelin e eleminatoreve të Botërorit ndaj Maqedonisë, një ndeshje dramatike që zgjati dy ditë për shkak të reshjeve të shiut, dhe u vendos nga goli i Bekim Balajt në sekondat e fundit. “Arena Air Albania” është ndërtuar mbi rrënojat e stadiumit më të famshëm të historisë së futbollit shqiptar, “Qemal Stafës”, që u përurua me ndeshjen ndaj Jugosllavisë në Ballkaniadën  e vitit 1946, dhe ku golin e parë e shënoi legjenda Pal Mirashi në minutën e 6-të.

Sfidanti.al