Izraeli largon makthin, Shqipëria e Panuçit s’është ajo e miqësoreve

Pavarësisht rezultatit, tifozët në “Elbasan Arena” do të kishin mbetur të kënaqur edhe thjesht me atë që panë në fushë. Një kombëtare shqiptare krejt ndryshe nga ajo që u mposht në tri miqësore radhazi prej Norvegjisë, Kosovës e Ukrainës.

Izraeli nuk gjeti përballë jo vetëm ekipin e eksperimenteve të trajnerit Kristian Panuçi, por as kampionët e çoroditur të pas-Europianit, të drejtuar ende nga Xhani De Biazi. Nëse dy vjet më parë, ekipi përfaqësues u mposht 0-3 nga izraelitët në Elbasan, këtë herë ishte tjetër ndeshje.

Sukses 1-0 me golin e shkëlqyer të Taulant Xhakës, që sikur deshi të mos mbetej prapa mrekullisë së vëllait të tij, Granitit ndaj Serbisë në Botëror. Një lojë shumë më e lidhur, sidomos në fazën sulmuese, me raste të shumta të krijuara e të humbura nga Guri, Memushaj, Xhaka, Balaj, Hyka apo Hysaj.

Mbrojtja ishte diçka tjetër veçse ishte e kuptueshme që nuk mund të luante si “beton”, tashmë që lojtarë si Cana, Mavraj apo edhe Agolli nuk janë në fushë, për arsye të ndryshme. Qendra e saj me Veselin e Gjimshitin është diçka e re dhe thuajse e paprovuar, duke u çarë disa herë nga izraelitët, por për fat në portë ishte një Tomas Strakosha i pakalueshëm. Diçka e re edhe Binaku në vend të Agollit, por duket se me ndihmën e shokëve edhe ai e kaloi provën.

Kombëtarja vërtet ka shanse të dalë në vend të parë në Grupin 1 në Ligën C të Ligës së Kombeve. Kjo, duket qartë kur shikon se Skocia u mposht 0-4 në Gllazgou nga Belgjika në një miqësore.

Sfidanti.al