Inter, jo e lehtë për Marash Kumbullën; e kërkon “gjysma” e Europës!

Në Milano duken të sigurt, por nuk duhet të jenë aq shumë. Vërtet Interi i Antonio Kontes dhe Bepe Marotës është në avantazh ndaj rivalëve për të marrë Marash Kumbullën, por asgjë nuk duket e përfunduar. “La Gazeta delo Sport” informon se mbrojtësin 19-vjeçar shqiptar e duan edhe skuadra të tjera në Itali, Angli e Gjermani.

Në Serinë A, përveç milanezëve, janë edhe zikaltërit e tjerë ata të Atalantës, pasi trajneri Gasperini ka gjithashtu vlerësim të lartë për qendërmbrojtësin. Kumbulla, një nga lojtarët më të spikatur në Itali këtë sezon, mund të tundohet thjesht nga fakti se tek Atalanta ndoshta do të ketë më shumë shanse për të luajtur, plus edhe që do të gjejë shokun e tij të mbrojtjes në kombëtare, Berat Gjimshitin.

Në Angli, për 19-vjeçarin ka menduar Karlo Ançeloti, tashmë trajner i Evertonit në Premier Ligë, dhe të cilit i bën punë një lojtar që di të luajë edhe në mbrojtjen me 3, edhe në atë me 4. Po në Angli, interesim ka shfaqur edhe Mançester Junajtidi. Së fundi, në Bundesligën gjermane, një propozim mund ta bëjë Lysien Favre, trajneri i Dortmundit, ku gjithashtu Kumbulla do të kishte mundësi të luante më shumë. Verona ka mundësi të bëjë biznes me kartonin e mbrojtësit të kombëtares shqiptare, pasi e vlerëson të paktën në 20 milionë euro, dhe Interi për momentin nuk dëshiron të japë më shumë se 15 milionë, plus kartonin e ndonjë futbollisti tjetër.

Sfidanti.al