Incidenti i tifozëve në Palermo, sa frikë edhe për postin në UEFA

Armand Duka e ka pranuar se ka frikë nga dhuna e  tifozëve të Kombëtares, të cilët shprehen shenjat e para të pakënaqësisë në ndeshjen ndaj Italisë.

Presidenti i federatës shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka kërkuar ndihmën e të gjithëve që të ndalin huliganizimin e tifozëve, pasi ka frikë se përsëritën incidente si ndaj Italisë në Palermo.

Ai është mes 13 kandidatëve për 8 vende në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Por sa e dëmton kandidaturën e tij për t’u bërë pjesë e qeverisë evropiane të futbollit ndodhia e Palermos, tregon ai në Top Story.

“Sigurisht që nuk është një promocion pozitiv kjo që ndodhi”, thotë ai, duke “harruar” se protesta e tifozëve në Itali lidhej perdonalisht me të.

Megjithatë, më shumë sesa dëmtimi i mundësive për të qenë në Komitetin e UEFA-s, Duka ka një tjetër shqetësim.

“Ajo që më shqetëson më shumë është se nëse fenomene të tilla do të trashen dhe të arrijmë deri tek ajo që ndodhi në Beograd. Kemi shumë vende në Evropën Lindore që tifozeritë degjenerojnë dhe përdoren edhe për qëllime të tjera, jo vetëm sportive”, tha ai.

Për të shmangur këtë ai bëri thirrje që të bëhen bashkë kundër dhunës si media, shoqëria ashtu edhe FSHF.