Florian Kamberi është përforcimi i janarit për kombëtaren e Edi Rejës!

Po i afrohet moshës më të mirë për të luajtur futboll, dhe do ta bëjë aty ku dëshiron. Florian Kamberi pritet të ketë ndryshime të rëndësishme në karrierë tepër shpejt, në nivel klubi dhe kombëtareje, ndërsa fitoi një gjyq përcaktues. Sulmuesi 24-vjeçar ia doli në FIFA ndaj Federatës Zvicerane të Futbollit, dhe fitoi të drejtën për të luajtur me kombëtaren shqiptare.

Ai u grumbullua dy muaj më parë nga trajneri Edi Reja, në prag të ndeshjeve ndaj Andorrës dhe Francës për eleminatoret e Europianit, veçse dokumentacioni si dhe një dëmtim i lehtë e penguan që të debutonte. Zvicra kishte pretendime për të mos e lejuar të kalonte tek Shqipëria, pasi Kamberi luajti për kombëtaret e saj të moshave, në nivelet U20 dhe U21, madje duke shënuar edhe gol për ekipin Shpresa zviceran në ndeshjen eleminatore të Europianit ndaj Anglisë, në mars 2016.

Njëkohësisht me fitimin e gjyqit, Kamberi ka kaluar edhe dëmtimin, dhe duket se është gati për të luajtur për skuadrën e tij, Hibernian të Edinburgut në Premier Ligën e Skocisë. Njëzetekatërvjeçari me origjinë nga Kosova, dhe i lindur në Zyrih të Zvicrës, vlerësohet lart nga klubi skocez, ku po aktivizohet prej 3 sezonesh, duke shënuar 30 gola në 80 ndeshje në të gjithë konkurrimet. Së fundi, ai është kërkuar nga polakët e Lehut të Poznanit, nga Bazeli në Zvicër dhe nga Brentfordi në Angli, por Hiberniani nuk ka ndërmend ta lëshojë aq lehtë.

Sfidanti.al