Koha është tani PSG në çerekfinale të Championsit nga 2016-ta!

Kanë kaluar 4 vjet dhe duket se gjithçka është harruar. Paris Sen Zhermeni ka qenë më parë një skuadër e fortë në Champions, katër herë radhazi në çerekfinale, por prej kohësh nuk ia kishte dalë të mbërrinte aq larg. Tre vjet rresht eleminim që në turin e dytë, diçka e rëndë për sheikët pronarë, që kanë shpenzuar qindra milionë euro pikërisht për të fituar Ligën e Kampionëve. Të paktën, çerekfinalet u arritën, e ndoshta fati mund “ta verë dorën në zemër” e t’i ndihmojë për të mbërritur deri në finale. Ky është edhe objektivi, dhe PSG ia doli me autoritet duke mundur një rival të fortë si Dortmundi.

Fitore 2-0 në “Park dë Prensisin” pa spektatorë, ndërsa qindra e mijëra ndoqën shembullin e ultrasve të Valencias, duke u mbledhur jashtë stadiumit, e duke brohoritur si dhe duke hedhur fishekzjarre. Në djall me gjithë koronavirusin. Nejmar u tregua më në fund lideri që pritej, ndërsa Mbape i sëmurë e nisi nga stoli. Huan Bernat shënoi golin e dytë në fund të pjesës së parë, dhe gjithçka u bë “autostradë” për kampionët e Francës. Të besuarit e trajnerit Tuhel, që të paktën larguan presionin, do të duhet të presin shortin, por janë të lumtur që Liverpuli është eleminuar, dhe që Reali nuk i ka punët mirë. Me gjasë, do të mbeten Mançester Siti, Bajerni, Barcelona e ndoshta edhe Juventusi, kurse në 8 më të mirët janë Atalanta, Lajpcigu dhe Atletiko e Madridit. Në të kaluarën, eleminimet erdhën dy herë nga Barcelona, një herë nga Çelsi e një herë nga Mançester Siti, por PSG nuk dëshiron të shohë nga e kaluara, veçse nga e ardhmja.

Sfidanti.al