Vllaznia vazhdon marshimin, por Brdariç e ka ndaluar fjalën “titull”!

Mund të fitohet edhe vetëm 1-0 dhe të jetë një sukses i madh e i rëndësishëm. i tillë ky i Vllaznisë ndaj një Kukësi që ka mbetur pa “benzinë”, dhe që shumëkush thotë se ka mbetur edhe pa para. Shkodranët mbajtën ritmin me një tripikësh jashtë fushe që i lejoi të ruanin diferencën 9-pikëshe me Teutën, atë që po përvijohet gjithnjë e më shumë si forca e dytë e Superligës. Edhe pse kuqeblutë kishin disa mungesa, mbi të gjithë shënuesin kryesor Ardit Hoxhaj, sërish e gjetën mënyrën për te goli. Një tjetër sulmues, Arlind Kalaja, ishte autori këtë herë.

Sidoqoftë, trajneri Tomas Brdariç nuk deshi të nxitohej. Kroato-gjermani e kuptoi se skuadra e tij pati edhe fat pasi kuksianët goditën shtyllën e patën disa raste, ndonëse edhe Vllaznia krijoi. “Dua një skuadër me kokë ulur, – tha ai pas ndeshjes, – rezultati 1-0 ishte i rrezikshëm dhe ndeshja mund të kishte përfunduar në çdo mënyrë. Për titullin nuk dua të flas sepse është shumë herët”. E drejtë, sepse janë luajtur vetëm 14 javë nga 36 gjithsej dhe Vllaznia vërtet është 9 pikë para (32 ndaj 23 të Teutës), por mbeten në lojë edhe 66 pikë të tjera.

Java 14: Kukësi-Vllaznia 0-1, Teuta-Bylis 2-0. Të dielën, 13:45: Tirana-Kastrioti, Skënderbeu-Partizani, Apolonia-Laçi. Renditja: Vllaznia 32 pikë, Teuta 23, Partizani 20, Laçi, 20, Kukësi 17, Tirana 17, Kastrioti 17, Bylis 12, Skënderbeu 10, Apolonia 9.

Sfidanti.al