Vllaznia në krye të Superligës, Tiranës s’ia kanë fajin trajnerët!

Në një “tokë pjellore”, mjafton të hedhësh “farën” e mirë dhe ajo mbin, rritet duke na dhënë një lule apo edhe një pemë të mrekullueshme. Vllaznia është “fara” më e vjetër e futbollit në Shqipëri, dhe është një kënaqësi që skuadra prej Shkodre ishte dhe mbeti në krye të renditjes së Superligës. Fitorja ndaj Tiranës bëri që ekipi i trajnerit, Tomas Brdariç, të jetë i pari, i paprekshëm me 9 pikë të plota dhe me golaverazhin 7-2. Kjo, pas derbit më të vjetër të topkëmbës shqiptare, ndaj skuadrës famëmadhe nga kryeqyteti që këtë herë pati ndryshim në stol.

Nevil Dede, një ish-lider i viteve 90-të e 2000, e drejtoi në “Loro Boriçi”, pasi zuri vendin e trajnerit të shkarkuar, Emanuel Egbo, njeriut që udhëhoqi ekipin drejt titullit të parë kampion pas 11 vjetësh. Një humbje natyrisht nuk kompromenton punën e trajnerit, që ka vetëm pak ditë në stol, por pa dyshim tregon se problemet e Tiranës nuk janë tek stoli.

Në Shkodër ishte një ndeshje dramatike dhe e shumë gola, ndërsa fitorja vendase erdhi vetëm në minutën e 7-të shtesë (!!). Marku shënoi në 28’ me penallti, Muçi barazoi pas nisjes së pjesës së dytë, por përsëri Marku kaloi Vllazninë në epërsi në 50’. Pastaj, Sasraku barazoi për së dyti për bardheblutë në 63’ dhe u duk se ndeshja do të mbyllej barazim, por Dunga shënoi në 97’. Të dyja skuadrat patën raste dhe rezultati mund të kishte qenë çfarë, qoftë fitore e miqve, apo edhe barazim, por shifrat reale janë 3-2 për shkodranët.

Në ndeshjet e tjera të orës 16:45, Partizani barazoi 0-0 me Laçin në “Elbasan Arena” dhe Teuta barazoi me Kukësin po 0-0, në “Niko Dovana” të Durrësit. Më herët, Skënderbeu fitoi 2-0 në Ballsh ndaj Bylisit dhe Kastrioti-Apolonia u mbyll 1-1 në Kamzë. Vllaznia kryeson me 9 pikë ndaj 5 të Kastriotit e Teutës, ndërsa Partizani e Skënderbeu kanë nga 4.

Sfidanti.al