Vllaznia fiton në Vlorë, Flamurtari borxh edhe me pikët

Flamurtari është braktisur nga të gjithë dhe nga gjithçka. Asnjë lek në llogaritë e futbollistëve, veçse premtime që askush nuk i mban, ndërsa në fushën e lojës e ka harruar edhe fati. Vlonjatët u mundën nga Vllaznia në shtëpi (0-1), në kuadër të javës së 12-të të kampionatit, në një ndeshje ku padyshim meritonin më shumë. Në pjesën e parë kanë dominuar totalisht, aq sa u krijua përshtypja, se goli ishte vetëm çështje minutash, por në të 37’, në sulmin  e parë drejt portës së Halilajt, i cili deri në atë kohë kishte statusin e një spektatori, si të gjithë të tjerët që gjendeshin në stadium, pas një harkimi nga e majta, Cicmil harrohet nga mbrojtja vendase dhe shënon. Edhe trajneri Cungu mezi e besoi atë që pa dhe si pasojë as që doli nga pankina e tij për të festuar.

Në pjesën e dytë një Vllazni disi më e qartë në atë çfarë duhet të bënte, ndërsa Flamurtari sërish i krijoi rastet e veta, por topi asnjëhetrë nuk hyri në portën e Agoviç. Fillimisht Shehaj, më pas Shkodra, i cili gjeti vetëm shtyllën e majtë të portjerit malazez të Vllaznisë dhe në fund Galiç. Vlonjatët mbeten me shtatë pikë dhe lufta për mbijetesë duket se do të jetë e mundimshme.