Titulli kampion dhe kompleksi, 2020-ta mund të jetë viti i Partizanit!

Punimet nisën në gusht të 2016-ës. Entuziazmi ishte i madh tek Partizani, pasi shpejt ky klub i lavdishëm do të kishte sërish kompleksin e tij, atë që ia morën vite më parë në shkelje ligjore, duke i ndërruar destinacionin. Kanë kaluar më shumë se 3 vjet dhe asgjë ende nuk është gati, por të kuqtë njoftuan zyrtarisht se, më në fund, ngërçet financiare dhe ligjore kanë marrë fund, dhe se punimet do të kryhen shpejt.

Vetë presidenti Gazmend Demi ishte në kompleks dhe njoftimi është që stadiumi do të jetë gati në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm, për të pritur ndeshjet e fazës së tretë të Superligës. Një lajm i madh për tifozët, aq sa ende nuk mund ta besojnë me zvarritjet pa fund.

Në janar të 2017-ës, Demi parashikonte që të kishte gati stadiumin në shtator të atij viti, për të luajtur ndeshjet e kampionatit në shtëpi, por duket se financat nuk mjaftonin dhe gjithçka u shty. Ndodhi ajo që Partizani u detyrua t’i paguante qira Tiranës për të luajtur në “Selman Stërmasi”, dhe kjo vetëm pas ndërmjetësimit të kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, Veliaj. Kjo, madje solli revoltën e tifozëve bardheblu që u përplasën me skuadrën dhe me presidentin e tyre, Halili, armiqësi që vazhdon edhe sot.

Kalvari tashmë duket se po merr fund dhe viti 2020 pritet të jetë i Partizanit. Kryeqytetasit duan të mbrojnë titullin e fituar vjet, dhe po ashtu të kenë sërish shtëpinë e tyre, si dikur. Kompleksi është i shtrenjtë, parashikohej në 10 milionë euro, por kualifikimi për në Champions pas titullit kampion, dhe pjesëmarrja edhe në Ligën e Europës, krijoi të ardhura të paktën për të kryer një pjesë të punimeve. Partizani krenohet sidomos që kompleksi do t’i japë mundësi të ketë një akademi të nivelit të lartë, me mbi 500 fëmijë.

Sfidanti.al