Tirana vazhdon të mos mësojë të fitojë, barazimi me Kastriotin e largon nga kreu!

E treta nuk qëlloi e vërteta. Në stadiumin e Kamzës, aty ku u mbajt një minutë zi për legjendën e futbollit Maradona, ashtu si në çdo impiant tjetër të botës, trajneri Nevil Dede nuk e arriti dot fitoren e tij të parë në stolin e Tiranës. Ishte pikërisht ndeshja e tretë e Superligës në të cilën ai drejtonte ekipin, për të cilin dha shumë si lojtar, dhe ku bëri kthimin në stol.

Përfundoi 1-1 ndaj Kastriotit, edhe pse kampionët e Shqipërisë e nisën ndeshjen shumë mirë duke kaluar shpejt në avantazh. Ernest Muçi, talenti i ri që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, ishte autor i golit. Gjithsesi, edhe për shkak të ndonjë mungese, kryeqytetasit sërish nuk patën vazhdimësi, ndërsa krutanët luftuan shumë dhe patën pretendime ndaj gjyqtarit.

Për hir të së vërtetës, ndryshe nga sa ndodhi me Bylisin në ndeshjen e kaluar me tiranasit, këtë herë arbitri u duk se dha vendimet e duhura, në të dyja rastet e pretenduara, fillimisht në pjesën e parë, dhe pastaj në minutat shtesë në fund. Sidoqoftë, Kastrioti i trajnerit të shpeshtë Ramadan Ndreu e mori shpërblimin për këmbënguljen, duke barazuar shifrat që në pjesën e parë.

Çdo të thotë kjo vazhdimësi e krutanëve? Pavarësisht se nuk po fiton prej tri duelesh, sërish ekipi i Ndreut është i vështirë për t’u thyer, dhe nuk ka humbur asnjë nga 5 ndeshjet e deritanishme. Gjithsesi, ekipi bardheblu mund të kishte marrë më shumë dhe trajneri Dede ka të drejtë kur thotë se shpesh loja është e mirë, por nuk ka konkretizim. Pavarësisht kësaj, barazimi 1-1 i prish punë kryeqytetasve sepse i largon edhe më shumë nga kreu, madje për momentin janë shumë më pranë fundit të renditjes.

Në dy ndeshjet e tjera të luajtura në të njëjtën orë, Laçi fitoi thellë ndaj Apolonisë me shifrat 6-1. Ekipi i drejtuar nga trajneri Nica përmbysi dizavantazhin e fillimit, ndërsa shkëlqeu sulmuesi Nuabueze me 3 gola. Barazim pa gola, ndërkaq, në Ballsh, në duelin tjetër mes Bylisit vendas dhe Teutës së Durrësit.

Sfidanti.al