Tirana dehet me gola me Kamzën, Flamurtari ndal Teutën

Njëri rezultat edhe pritej, por tjetri ishte befasi. Fitorja e Tiranës  dhe barazimi i Flamurtarit cilësohen si lajmet e Superligës, në ndeshjet e saj të fundit të javës së 19-të. Kryeqytetasit luajtën në fushën e tyre, në “Selman Stërmasi” ndaj Kamzës dhe triumfuan 4-1, ndonëse pjesa e parë u mbyll në dizavantazhin e tyre, 0-1.

Kamzalinjtë shënuan të parët, me anë të ish-lojtarit të Tiranës, Sebino Plaku, që dha shembullin me shiritin e kapitenit në krah. Formacioni vendas u duk shumë i dobët në mbrojtje në 45 minutat e para, por reagoi pas pushimit, me siguri i nxitur nga trajneri Ardian Mema.

Po ashtu, u ndihmua jo pak nga dalja me të kuqe e mbrojtësit të miqve, Beqiri, që në pjesën e parë, kur tiranasit fituan penallti, por që sulmuesi Ngo e humbi, dhe portieri Avdyli e priti.

Hasani barazoi në 59’, pastaj Ngo shleu gabimin e penalltisë duke kaluar të vetët në epërsi. Pas pak minutash, kombinim tjetër Ngo-Hasani, me shkodranin që shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje, ndërsa rezultatin e vulosi Ndoka, me një gjuajtje me kokë. Ky sukses e shkëput disi Tiranën nga zona e rënies nga kategoria.

Në Durrës, ndërkaq, Flamurtari i menduar si i mbytur, arriti të ndalte Teutën, në një barazim 1-1. Vlonjatët madje kaluan të parët në epërsi me një penallti të kthyer në gol nga Batha, por durrsakët barazuan që në pjesën e parë, me afrikanin Traore.

Pas pushimit, në fushë për vendasit hyri edhe ish-kapiteni i Flamurtarit, Tomislav Bushiç, i cili detyroi vlonjatët të luanin me 10 vetë. Kroati u pengua nga mbrojtësi Veliu, dhe ky u nxorr me të kuq.  Gjithsesi, rezultati nuk ndryshoi dhe miqtë morën një pikë të çmuar.

Pas 19 javësh, Tirana u ngjit në 20 pikë, 5 pikë larg zonës që të zbret në Kategorinë e Parë, ndërsa Teuta ka 34 pikë, një më pak se Kukësi i vendit të dytë. Flamurtari iu afrua Skënderbeut, ndërsa Kamza është edhe më e rrezikuar për të rënë nga Superliga.

Sfidanti.al