Tirana mund të bënte nder, por jo me kaq shumë gola!

Kukësi-Tirana u mbyll, ashtu siç pritej, me fitoren e vendasve, që vazhdojnë të kryesojnë Superligën shqiptare të futbollit. Ndeshja e përfolur keqazi për marrëveshje u mbyll 4-1 dhe u ndoq nga pak spektatorë, diçka jo e natyrshme për një ekip që pretendon titullin dhe që u lejon tifozëve hyrjen falas në stadium. Ishte apo nuk ishte “teatër” kjo vështirë të thuhet me siguri 100 për qind, por nga ajo që u pa, teatri u duk i arritur.

Shumë gola, por pak dyluftime në “Zeqir Ymeri”, me Kukësin e trajnerit Gjoka që u “zgjua” në pjesën e dytë. Izair Emini, një nga lojtarët më profesionistë të kampionatit, hapi rezultatin, pastaj një penallti e dhënë me të drejtë (më në fund), fituar nga Pejiç, solli rezultatin 2-0 dhe golin e 19-të të sulmuesit kroat në këtë turne.

U desh të kalonin edhe 11 minuta dhe i riu bardheblu, Turtulli shkurtoi diferencën, por ndeshja nuk kishte përfunduar për vendasit. Në të 80-ën, Zhan Karioka rivendos epërsinë dygolëshe të vendasve, ndërsa në minutën e 89-të, Pejiç shtoi edhe golin e dytë personal, të 20-in këtë edicion të Superligës.

Kukësi kryeson me 62 pikë, 3 më shumë se Skënderbeu që fitoi 5-1 në Laç. Më në fund, shumë gola nga kampionët, madje në një fushë që cilësohet si e vështirë, por që për korçarët nuk doli aspak e tillë. A ishte edhe kjo ndeshje teatër? Sipas asaj që shihet më sy të lirë në tabelë, jo, por ku i dihet. Në një kampionat ku shumë gjëra përcaktohen si me dorë, gjithçka mund të ndodhë.

Gjithsesi, nuk mund të mos lavdërohet Liridon Latifi, autor i tre golave dhe i një asisti. Futbollisti nga Kosova, që kërkohet me ngulm të shitet jashtë vendit nga presidenti Takaj (dëshira është për 1 milionë euro), shënoi dy golat  e parë, shërbeu Xhejmsin për të dytin dhe shënoi të të katërtin. Në fund, ishte Hamdi Salihi që fiksoi shifrat 5-1 pasi Mensah kishte ngushtuar për 1-4.

Sfidanti.al