Tirana kthehet tek fitoret, arbitri ndihmon … më të fortët!

Një penallti e dhënë nuk është justifikim kur mundesh nga një skuadër e tillë, dhe as Vllaznia nuk mund ta gjejë fajin tek gjyqtari. Gjithsesi, shkodranëve nuk iu dha 11-metërsh i pastër në “Selman Stërmasi”, madje kur ndeshja që përfundoi 3-0 me Tiranën, ishte ende pa gola. Kuqeblutë dhe tifozët e tyre mund të thonë se, “topi është i rrumbullakët”, pra kushedi çfarë mund të kishte ndodhur nëse do të ishte dhënë ai ndëshkim maksimal ndaj kryeqytetasve.

E thënë kjo, Tirana sërish e meritoi pasi nuk mund të thuhet ndryshe për një ekip që triumfoi 3-0, madje edhe kur luan gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë. Ishte në 2-0 kur Hoxhallari u përjashtua me të kuq, dhe shënoi edhe golin e tretë me anë të brazilianit Kale. Torasa e Ngo kishin shënuar para pushimit, ndërsa shkodranët e nisën më mirë ndeshjen dhe patën edhe një rast për gol, përveç pretendimit për penallti.

Pak a shumë, një fitore si ajo e Realit ndaj Valencias një mbrëmje më parë në La Liga, për mënyrën sesi shkuan ngjarjet. Bie në sy fakti se trajneri Egbo aktivizoi titullar ish-kapitenin Erando Karabeci, i cili u shpreh pas ndeshjes se “askush nuk është i lumtur kur rri në stol, ndërsa unë kam dhënë shumë kontribut për Tiranën”. Egbo e aktivizoi Karabecin sepse Çelhaka ishte i pezulluar. Tirana kryeson renditjen e Superligës me 62 pikë pas 30 ndeshjeve, ndërsa Kukësi ka 53 duke pasur një ndeshje më pak.

Sfidanti.al