Tirana ia merr dorën derbit, shpreson t’ia marrë dorën edhe titullit!

Gjyqtari mund të sulmohet e të anatemohet, dakord. Partizani pretendoi për 11-metërsh që në fillim, pastaj kaloi në avantazh që në minutën e 2-të, dhe shpërdoroi rast të artë të dyfishtë në minutën e 10-të. Për ata që e ndoqën ndeshjen deri në atë moment, dhe pastaj u larguan për ndonjë punë të vetën, do të ishte e pabesueshme t’u thoje se derbin e fitoi Tirana 5-1! Jo, një shaka e tillë, siç thuhet, “është për ariun”. Gjithsesi, nuk ishte një shaka, por e vërteta e hidhur për të kuqtë, dhe e mrekullueshme për bardheblutë, që fituan duelin e dytë radhazi brendaqytetës, dhe që u shkëputën në 9 pikë nga rivalët e mëdhenj.

Minuta e 13-të ishte fatale për skuadrën e Sormanit, ashtu siç thuhej dikur për numrin 13. Penallti për Tiranën dhe karton i kuq për Bitrin, me gjasë mbrojtësin  më të mirë të të kuqve. Ish-lojtari i Partizanit, Batha, barazoi dhe Tirana papritur pati ndeshjen në dorë. Fare pak minuta më vonë, dhe penallti tjetër për të, me Bathën që nuk gabon. Edhe ajo që pasoi nuk të bënte të mendohej se derbi do të përfundonte me rezultat të thellë, pasi kampionët reaguan dhe e vunë në vështirësi Tiranën edhe në inferioritet numerik.

Sidoqoftë, pas pushimit, sa më shumë kalonte pjesa e dytë, aq më shumë lodhja bënte të vetën, pasi një derbi është vështirë të luhet me 10 vetë, dhe duke qenë në humbje. Autogoli i Idrizajt, dhe dy rrjetat e talentit Muçi në 10 minutat e fundit vulosën një prej rezultateve më të famshëm në historinë e përballjeve mes dy rivalëve. Partizani duket se ka kapitulluar, por Tirana do të duhet të luftojë për titullin, pasi Kukësi ende nuk ka ndërmend të ngrejë duart lart.

Sfidanti.al