Superliga “vdiq”, Partizani mundi Teutën, u shkëput 9 pikë nga Kukësi

Mund të themi se matematikisht ende nuk është mbyllur. Kjo do të ishte thjesht për të mbajtur “me gajret” ata që duan sërish garë në Superligë, ata që janë tifozë me Kukësin apo të Tiranës, që nuk duan Partizanin kampion, veçse verdikti duket se është dhënë.

Brenda dy ditëve, java e 25-të solli humbjen e Kukësit në Korçë dhe fitoren 3-0 të të kuqve ndaj Teutës. “Me një gur, si të thuash, u vranë dy zogj”, dhe Partizani u shkëput 9 pikë nga ndjekësi më i afërt, duke lënë pas rivalët e vetëm që i rrezikonin titullin.

Në “Selman Stërmasi” u duk sikur gjithçka ishte krijuar për festë, pasi golat e kryeqytetasve erdhën shumë shpejt. Fillimisht Telushi në minutën e 4-ët, dhe pastaj Hila me penallti në minutën e 32-të, krijuan epërsinë 2-0, tepër të vështirë për t’u përmbysur.

Edhe pse trajneri Skënder Gega humbi Telushin në pjesën e dytë, dhe nuk kishte Hebajn në dispozicion për shkak dëmtimi, sërish ekipi i tij ishte shumë i fortë. U përsërit fitorja e fazës së parë ndaj durrsakëve, dhe u shlye shija jo edhe aq e mirë e barazimit 1-1 në Durrës, ku Teuta dominoi.

Tani, edhe dyshuesit më të mëdhenj mund të jenë bindur se ky është sezoni i Partizanit. Zhgënjimet e më shumë se çerek shekulli pritet të lihen pas dhe në maj të fillojë festa thuajse e harruar për të kuqtë. Kur mbeten edhe 11 javë për në Superligë, Partizani ka 53 pikë, ndërsa Kukësi 44.

Sfidanti.al