Superliga: Tirana nuk di të fitojë, ndërsa Kukësi është në “pikiadë”!

U bënë pesë radhazi. Kaq janë barazimet e këtyre kohëve në Superligë nga ana e Tiranës, ndërsa kuptohet se diçka nuk po shkon te kampionët e Shqipërisë. Rezultati 0-0 në fushën e Bylisit e la edhe më prapa skuadrën kryeqytetase nga kreu i renditjes, pasi Vllaznia ka tani 12 pikë më shumë, 29 ndaj 17 të tiranasve. Kur kjo diferencë është grumbulluar në vetëm 13 javë kampionat, vërtet që duhet ngritur alarmi.

Në Ballsh, bardheblutë e trajnerit Nevil Dede e kërkuan fitoren, por nuk qenë në gjendje që ta arrinin, madje as nuk mundën të krijonin raste të pastër. Ernest Muçi, më i miri në fushë, u përpoq shumë, veçse gjeti përballë një mbrojtje të fortë dhe një portier në gatishmëri si Qirko. Çfarë mund të thuhet për këtë Tiranë? Natyrisht, mungesat janë të rëndësishme dhe peshojnë pasi nuk është e njëjta skuadër kur në fushë nuk ndodhen Torasa e Kale, ndërsa kur Kobina tashmë është i larguar. Në krahasim me vitin e kaluar kemi një transfuzion të gati 70 për qind të formacionit.

Gjithsesi, javët ikin dhe titulli bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u mbrojtur, e objektivi më normal tani për tani duket kualifikimi për në Ligën e Europës. Bylisi i trajnerit Dovedan mori pak a shumë atë që deshi, pikën, ndërsa ndodhet në vendin e tretë nga fundi, në rrezik për rënie nga Superliga. Kaq pak dëshirë kishin mallakastriotët për të rrezikuar për fitoren, saqë u mbrojtën edhe kur u ndodhën në epërsi numerike, ndërsa Danso u përjashtua për miqtë. Në dy ndeshjet e tjera luajtur në të njëjtën orë, Laçi mundi 3-2 Kukësin dhe Kastrioti barazoi 2-2 me Skënderbeun.

Sfidanti.al