Superliga, Teuta mund Korabin, dhe Laçi ndal Luftëtarin!

Laçi arriti të merrte një barazim 2-2 ndaj Luftëtarit në fushën e tij, në ndeshjen e javës së 14-të të Superligës, falë një goli të realizuar në fund. Autor i rrjetës ishte Akuino, dhe kurbinasit siguruan një pikë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Gjirokastritët arritën të kryesonin deri në 2-0, pasi shënuan fillimisht Bojom dhe pastaj nga Bregu, por Laçi shkurtoi diferencën me të njëjtin lojtar që barazoi, Akuinon.
Luftëtari mbeti me 10 lojtarë në fund të pjesës së parë kur Beqiri doli me të kuqe, dhe vendasit e shfrytëzuan epërsinë numerike duke barazuar. Pas këtij takimi, Luftëtari ka 15 pikë, ndërsa Laçi arriti në 11, në vendin e tretë nga fundit.
Teuta, ndërkaq, triumfoi ndaj Korabit, që luajti për herë të parë në Kukës. Artur Magani realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 11-të dhe durrsakët morën 3 pikë që i shkëputën nga vendet e fundit në renditje. Dibranët ndërprenë bashkëpunimin me Tiranën për stadiumin “Selman Stërmasi”, dhe që tani e tutje ndeshjet brenda shtëpisë do t’i luajnë në Kukës. Në klasifikim, Teuta ka 11 pikë, ndërsa Korabi është i fundit me 6.