Superliga nuk dëshiron të qetësohet, si ia doli Skënderbeu në Ballsh?!

Kampionati mbetet sërish i pabesë. Nëse kjo quhet e bukur apo e pabesueshme, është diçka tjetër, por fitorja e Skënderbeut me përmbysje në Ballsh, nuk meriton vlerësim tjetër. Korçarët, të mundur 0-3 në fushën e tyre nga Bylisi, ia dolën me shifrat 3-2 në stadiumin “Adush Muça”, në një duel të javës së 12-të që emocionet i pati të forta.

Përballë ishin një ekip pa emër, por me grup të formuar mirë dhe trajner të respektuar si Dovedan, dhe një Skënderbeu me famë të madhe vitet e fundit, me një teknik të shquar si Ilir Daja, por një skuadër që ka mbetur “gjysmagjel”, siç mund të thuhet.

Vendasit shpërdoruan rastin e artë të penalltisë, kur portieri Hidi nuk u tregua i saktë, dhe më pas u ndëshkuan. Krasniqi kaloi Skënderbeun përpara, po me penallti, në fund të pjesës së parë, pastaj Murataj dhe Goxha me roveshatë përmbysën në 2-1 për Bylisin, veçse fjalën e fundit e thanë miqtë. Devi Bregu me 11-metërsh dhe Gripshi në kundërsulm dy minuta para fundit, fiksuan shifrat e një fitoreje të madhe.

Përse Bylisi zhgënjeu në momentin më të mirë? Duket se ballshionët nuk janë mësuar me pretendime për të qenë në krye të renditjes, siç do të kishin bërë nëse do të kishin fituar. Tradita dhe mentaliteti penguan.

Ish-kampionët, në të kundërt, i bënë thirrje krenarisë së fanelës, të udhëhequr nga disa lojtarë të rëndësishëm si Koliçi, Bregu, Krasniqi, Gripshi apo Pollozhani. Fitorja e Skënderbeut e bëri edhe më të ekuilibruar një sezon të Superligës, ku skuadrat duken shumë pranë njëra-tjetrës.

Sfidanti.al