Skënderbeu ndalet në Shkodër, tifozët “bëjnë lanet” kampionët!

Ku është Skënderbeu europian i Mirel Josës dhe Ardian Takajt? Ku shkoi skuadra që shënonte më shumë se të gjitha në kampionatin shqiptar, me mesatare dy gola për ndeshje? Barazimi 0-0 në Shkodër me Vllazninë, vërtet e nxorri në vend të parë ekipin kampion, por ndoshta vetëm përkohësisht, dhe pa i kënaqur aspak tifozët. Me vetëm 13 gola të shënuar në 14 ndeshje të luajtura, dhe me golshënuesin më të mirë, Hamdi Salihi, në kuotën e vetëm 5 rrjetave, formacioni i trajnerit Agostineli nuk bind. Përkrahësit më besnikë, që kishin udhëtuar deri në qytetin verior, u lëshuan kundër lojtarëve dhe trajnerit Agostineli, dhe nuk bëri punë as ndërhyrja e kapitenit Shehi për t’i qetësuar.
Në “Loro Boriçi” i pati mundësitë të fitonte, gjithsesi, kur fitoi një 11-metërsh ndoshta të dyshimte. Salihi mori përsipër goditjen, por gjuajtja “Panenka” nuk i shkoi shkodranit, të paktën jo në Shkodër. Tifozët e Partizanit u hodhën menjëherë në sulm në rrjetet sociale: Panenkën e bën vetëm Alban Hoxha. Skënderbeu ka 28 pikë, një më shumë sesa Kukësi, por që ende nuk e ka luajtur ndeshjen e tij. Kuksianët e trajnerit Gjoka megjithatë nuk do ta kenë aspak të lehtë, pasi do të luajnë në fushën e Partizanit të martën, në të njëjtën ditë që Tirana luan në Vlorë ndaj Flamurtarit.