Skënderbeu, edhe “Zoti” i fal “mëkatarët” kur bëjnë vepra të mira!

Një vit më parë, Skënderbeu u duk i vdekur dhe i varrosur, pas vendimit të UEFA-s dhe KAS-it për ta përjashtuar për një vit nga kupat europiane. Një goditje e rëndë për moralin, për imazhin dhe për financat e klubit më të mirë shqiptar të 7 viteve të fundit u duk se do të kishte pasoja të rënda. Korçarët humbën një vit përvojë europiane, humbën 250 000 euro që do t’i fitonin vetëm nga pjesëmarrja në Champions, ndërsa rivalët nxituan të forcoheshin. Në fund të edicionit të kaluar, gjithsesi, gjendja u pa se kishte ndryshuar, edhe pse Skënderbeu (ashtu si dhe Partizani) nuk u lanë që të fitonin titullin, që shkoi për Kukësin.

Me presidentin Ardian Takaj në drejtim, me një grup në presidencë që siguron stabilitet financiar dhe me trajnerin me shumë karakter, Ilir Daja, në stol, Skënderbeu u ngrit përsëri në këmbë dhe mjaft fuqishëm. Ajo që po ndodh në Ligën e Europës është vetëm konfirmimi i një procesi të krijimit të një klubi profesionist futbolli, të kthyer në biznes, të cilit i mungon ende një hallkë e rëndësishme, academia, por që mund ta ketë në të ardhmen (vetë Daja është një specialist në këtë fushë dhe Takaj mund të arrijë akord me të, që të mbulojë edhe këtë sektor).

Ndryshe nga Partizani që u soll si “Penelopa me pëlhurën”, Skënderbeu nuk pati “operacione cezariane” apo “operacione fshesa”, tregues i qartë i vizionit të drejtuesve të tij. Edhe pas largimit të Shkëmbit, Olainkës, Berishës, dhe ndoshta Latifit e Shehit, ish-kampionët po bazohen tek aksioma se “vlerë ka grupi , jo individi”. Pakkush dyshon se Skënderbeu ka “mëkatuar” gjatë këtyre viteve që nga mënyra sesi i mori titullin Flamurtarit në 2011, e deri tek dënimi për trukim ndeshjesh. Gjithsesi, edhe vetë “Zoti” t’i fal “mëkatet” nëse di të bësh vepra të mira.

Sfidanti.al