S’ka spektakël pa tifozë, e kuptuan Partizani dhe Kukësi

Ishte një ndeshje si me “silenciator” ajo që çeli javën e 17-të në Kategorinë Superiore. Partizani e Kukësi, pa asnjë “kokërr” tifozi në “Selman Stërmasi”, e ndjenë ftohtësinë e stadiumit dhe nuk arritën të jepnin jo spektakël, por as edhe një shfaqje për të qenë. Jo se munguan rastet, të tillë patën të dyja skuadrat, madje Partizani u shpëtua dy herë nga portieri Alban Hoxha, por ritmi nuk ishte i lartë, as aksionet kombinative të dy skuadrave, duke treguar sërish sëmundjen e futbollit shqiptar, atë të mungesës së lojës sulmuese dhe harmonisë.

Barazimi 0-0 bëri që dy skuadrat të ruanin diferencën prej 5 pikësh, me Partizanin në vend të parë me 36 pikë, e Kukësin të dytin me 31. Skënderbeu mund të ketë rast të afrohet me kreun të dielën nëse fiton me Luftëtarin, dhe të ngjitet në vend të dytë.

Partizani këtë herë ishte në mos një zhgënjim i plotë, të paktën gjysmë zhgënjimi, dhe vetë trajneri Gega pranoi se “edhe Partizani im ka limite”. Besohet se jo vetëm që mungon cilësia dhe ndikon mosha e re, por ka të bëjë dhe me filozofinë e trajnerit, që kërkon më shumë kujdes dhe kundërsulmin.

Kukësi i Cungut ka edhe më shumë probleme, pasi skuadra nuk ka lojtarët e duhur, siç e ka pohuar vetë trajneri. Gjithsesi, shkodrani i ka dhënë karakterin e duhur ekipit, që dyshohet se është ndihmuar edhe nga ndonjë dhuratë kohët e fundit.

Sfidanti.al