S’ka paqe mes Kukësit e Skënderbeut, sherri i fundit për një lojtar!

Kanë qenë dy klube rivalë, por pa e kaluar masën. Gjithsesi, ajo që ndodhi në fund të kampionatit të kaluar, duket se do të vazhdojë për shkaqe të tjera. Pas sherrit në fushë, në ndeshjen e fundit mes tyre, Kukësi dhe Skënderbeu janë në prag të luftës për një futbollist. Ai quhet Biniam Belai, është mesfushor nga Etiopia, me moshë 19-vjeçare.

Pasi provoi të luante në Gjermani, Belai erdhi në Shqipëri ku u afrua te Kukësi. Burime në klubin kampion bëjnë me dije se, u mor dokumentacioni i futbollistit në mënyrë që të realizohej kontrata, por vetë Belai dhe menaxheri i tij gjerman, deklaruan se nuk i kishte pëlqyer Shqipëria dhe se do të shkonin në Gjermani.

E vërteta është se Belai nuk shkoi në Gjermani, ku ishte provuar që në moshën 16-vjeçare, por përfundoi tek Skënderbeu. Etiopiani nisi stërvitjen me korçarët dhe duket se e ka bindur trajnerin Daja, që ka kërkuar ta mbajë në skuadër. Në këtë moment, ka reaguar presidenti i Kukësit, Safet Gjici, i cili mësohet se ka komunikuar me presidentin e Skënderbeut, Takaj.

Gjici ka mbetur i ofenduar nga ajo që e quan mungesë sinqeriteti dhe mungesë profesionalizmi nga lojtari dhe i ka bërë thirrje Takajt të mos e pranojë, në emër të marrëdhënieve të mira mes klubeve. Gjithsesi, vështirësia kryesore për Kukësin është se Belai nuk ka nënshkruar kontratë me të, pra ligjërisht nuk mundet që ta pengojë.

Sfidanti.al