Pejiç nxjerr Kukësin në majë të Superligës, Skënderbeu bie në Veri!

Kukësi u shkëput i vetëm në krye të Superligës shqiptare të futbollit pas fitores 2-0 në ndeshjen direkte ndaj Skënderbeut. Sulmuesi kroat, Pero Pejiç, ishte autor i të dy golave në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit, që të dy në pjesën e parë. Fillimisht, ai shënoi me aksion, ndërsa rrjeta e dytë ishte me një penallti që e fitoi po vetë. Vendimi i gjyqtarit Jemini ishte i diskutueshëm, por gjithsesi, Pejiç e ktheu 11-metërshin në gol dhe Kukësi mori tri pikët. Skuadra kuksiane, e drejtuar nga trajneri Gjoka, ka 35 pikë pas 17 javëve të kampionatit, ndërsa Skënderbeu mbeti në kuotën 32.
Sukses këtë javë arriti edhe Tirana që mundi 2-0 Luftëtarin në kryeqytet. Taku dhe Merveil ishin autorët e golave për skuadrën e trajnerit Mirel Josa. Afrim Taku është shënuesi më i mirë i bardhebluve, madje një nga më të mirët e kampionatit, me 7 gola të realizuar deri tani, vetëm 3 më pak se një sulmues tipik si Pejiç. Teuta, ndërkaq, barazoi 0-0 në Durrës me Vllazninë.