Partizani, tifozët më të kushtueshëm të futbollit shqiptar

Tifozët janë gjithmonë shumë të nevojshëm në shkallët e stadiumit, por për aq kohë sa realizojnë qëllimin për të cilin janë thirrur, mbështetjen e skuadrës. Klubi Partizani është krenuar me faktin që i ka të shumtë në numër tifozët e vet, por në të njëjtën kohë, së fundi i ka pasur edhe shumë të kushtueshëm. Një pjesë të ndeshjeve të Partizanit si vendas janë shoqëruar edhe me një faturë gjobe nga FSHF, për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve të kuq në shkallët e stadiumit. Pas takimit me Skënderbeun, skuadra u dënua të luante katër ndeshjet e rradhës si vendas, pa praninë e tyre. Klubi që sponsorizon përgjithësisht udhëtimin e mbështetësve të tij për në Elbasan, ka shlyer me para gjysmën e dënimit, por edhe dëmin që ata bënë, me shkatërrimin  e një numri ndenjësesh. Lajmi i fundit ishte, se 90 minutat kundër Kukësit, një nga përballjet më të rëndësishme të sezonit, Partizani do t’i luajë me praninë e tifozëve të tij.

Por ndërkohë që ata do të nisen të sponsorizuar, për të zënë sërish vendet e tyre në “Elbasan Arena”, klubi duhet të paguajë edhe për rreth 106 stola të thyera po prej tyre, këtë rradhë në “Selman Stërmasi”. Dhe ironik është fakti, që të dy ndeshjet (ndaj korçarëve dhe derbi) përfunduar 0-0 në fushë, ndërsa golat që “merituan” një premio 12 milionë lekë nga presidenti, u shënuan në shkallët e stadiumit. Tani mos qoftë e thënë që të shkojë keq edhe ndeshja me Kukësin, pasi ka gjasa, që pikët e munguara në tabelën e klasifikimit, të mos jenë pwrswri dëmi i vetëm.