Partizani në dorë të Kalarit, Daja mendohet për stolin, por Demi nuk nxitohet!

Nevoja është e madhe, por nxitim nuk pritet të ketë. Partizani mund ta shtyjë dy ndeshjet e mbetura këtë vit pa një trajner të përhershëm në stol, ndërsa kërkimi për pasardhësin e Franko Lerdës pritet të zgjasë ca. Për momentin, ekipin mund ta drejtojnë teknikët që janë brenda klubit si Renaldo Kalari, Dritan Mehmeti dhe përgatitësi atletik, Korrado Sakone.

Si altenativa të italianit jepen pikërisht Dritan Mehmeti, ish-ndihmësi i Skënder Gegës dhe i Franko Lerdës, por edhe Ilir Daja, aktualisht trajner i Skënderbeut. Daja doli edhe si kandidat për stolin e Tiranës pas largimit të Julian Ahmatajt, por ai refuzoi se kishte ndonjë kontakt me bardheblutë.

Partizani luan në fushën e Teutës në 18 dhjetor, ndërsa ndeshjen e fundit për 2019-ën e ka në “Selman Stërmasi” në 22 dhjetor, sipas kalendarit të Superligës. Më pas do të ketë pushime, fazë përgatitore, dhe kampionati do të rinisë në 22 janar.

Nuk ishte e lehtë për presidentin e të kuqve, Demi, që të merrte vendimin për shkarkimin e Lerdës. Italiani, sipas burimeve në klub, ishte zgjedhje e drejtorit të përgjithshëm, Olsi Rama, ndërsa kontrata e tij diskutohej që ishte shumë e lartë, pra shkarkimi sillte edhe kosto financiare. Gjithsesi, rezultatet e ekipit, loja jo bindëse dhe konfliktet e shpeshta bënë që largimi i Lerdës të ishte i pashmangshëm.

Sfidanti.al