Partizani me dhimbje koke para derbit, Trashi në spital, Telushi në dyshim!

Ky moment i vështirë erdhi atëherë kur nuk duhej. Partizani luan të premten ndaj Tiranës derbin e radhës në Superligë, dhe gjendja në skuadër nuk është aspak e mirë. Përtej dëshpërimit të madh prej barazimit të papritur 2-2 ndaj Bylisit, të kuqtë kanë edhe shqetësime të tjera. Mbi të gjitha, gjendja e Lorenc Trashit. Futbollisti i kombëtares, padyshim një nga dy më të rëndësishmit në ekip, mbetet në spital pas përplasjes që pati me portierin Alban Hoxha.

Nga e shtuna, jemi të hënën dhe mjekët ende nuk kanë nxjerrë konkluzionin përfundimtar nëse lojtari i krahut do të dalë apo jo nga spitali. Kjo tregon se dëmtimet e pësuara ishin serioze, përfshi edhe një goditje nën sy. Kur duhen edhe 4 ditë deri në derbi, nuk është e gabuar të thuhet se prania e Trashit është në dyshim serioz.

Gjithsesi, problemet tek Partizani janë më të shumta. Barazimi me Bylisin ishte i papritur, sidomos pas humbjes së Kukësit me Tiranën, dhe një fitore do t’i afronte kampionët ne 4 pikë me kreun, gjë që nuk ndodhi dhe ata janë tani 6 pikë larg. Tifozët janë hedhur me kritika në rrjetet sociale, duke akuzuar futbollistë, trajnerin Sormani dhe klubin, por sidomos sulmuesin Solomon që gaboi në rastin e golit të ballshiotëve, por edhe që nuk po mundet të shënojë.

Ish-golshënuesi më i mirë i kampionatit, Edmond Dosti, i bëri thirrje publike Sormanit që të mos e aktivizojë kurrë më Solomonin. Vetë sulmuesi ka reaguar në rrjetet sociale duke akuzuar se kanë dashur që ta varrosnin, por duke premtuar se ai do të rezistojë dhe do të bëhet më i fortë. Përsa i përket mungesa të tjera, pritet që Partizani të ketë në ekip mbrojtësin Bitri që ishte i pezulluar ndaj Bylisit, dhe po ashtu Bruno Telushi të jetë më mirë fizikisht e të luajë. Mbrojtësi rumun, Boldor, ende mbetet në dyshim për shkak dëmtimi.

Sfidanti.al