Partizani do derbin në Arenë, FSHF në “ajër” për fushën dhe për qiranë!

Kërkesa është zyrtare, por përgjigja pozitive nuk do të jetë e lehtë. Partizani dëshiron nga Federata Shqiptare e Futbollit që ta luajë në “Arenën Air Albania” derbin e javës tjetër ndaj Tiranës, veçse ka një problem të dyfishtë. Drejtori i stadiumit, Bardhyl Minxhozi, deklaroi se së pari duhet të përcaktohen kostot për zhvillimin e ndeshjeve, dhe nga kjo do të vendosen edhe tarifat. Shifrat kanë qenë të ndryshme jozyrtarisht, nga 8 mijë euro deri në 2 milionë lekë të reja, por në Federatë ende nuk kanë vendosur asgjë.

Problemi i dytë ka të bëjë me fushën, pasi ajo ende nuk është në 100 për qind. Minxhozi u shpreh se ndeshja ndaj Francës ishte e detyrueshme që të luhej aty, por pas saj do të tregohet më shumë kujdes. Burime në Federatë u shprehën për televizionin se dëshira është që derbi të jetë pikërisht aty, pasi ai është stadium futbolli, por reshjet e shiut të këtyre ditëve nuk po ndihmojnë aspak përmirësimin e fushës.

Gjithsesi, shpresa është që deri pas dy javësh tapeti të jetë gati. Ndeshja e kësaj jave ndaj Laçit u vendos që të luhet në “Elbasan Arena”, diçka që Partizani e njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale. Fillimisht ishin dy alternativa të tjera, por lojtarët nuk deshën stadiumin e Lushnjes, ndërsa fusha e Durrësit po ashtu pati probleme me reshjet.

Sfidanti.al